
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural konkretisht Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë njofton të gjithë fermerët dhe agrobizneset se ka zgjatur afatin për aplikim për masat mbështetëse në kuadër të Programit për Zhvillim Rural – Grante 2024 deri më 11 shkurt 2025.
Thirrja për aplikim për Masën 1 “Investimet në asetet fizike në ekonomitë bujqësore” dhe Masën 3 ”Investimet në asetet fizike në përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore” ishte hapur më 27 dhjetor të vitit 2024, ku përmes masave mbështetëse të PZhR 2024 investimet e MBPZhR-së arrijnë vlerën prej 18,727,000.00.
Të interesuarit aplikimin mund ta bëjnë përmes ueb – modulit online në uebfaqen e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB), www.azhb-ks.net, në linkun “Aplikimi online për PZHR”: https://azhb-aplikimet.rks-gov.net.
Aplikuesit në ueb – modul do të mund të regjistrojnë projektin, si dhe duhet të ngarkojnë të gjitha dokumentet e nevojshme për aplikim në PDF.
Të gjitha procedurat e aplikimit dhe dokumentacioni i nevojshëm, mbesin të njëjta dhe për të gjitha këto, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë ka përgatitur Udhëzues për aplikues, ku të gjithë të interesuarit mund t’i gjejnë në uebfaqen: www.azhb-ks.net.
Gjatë periudhës për aplikim, fermerët dhe agrobizneset për të gjitha informatat lidhur me procedurat e aplikimit, kriteret e pranueshmërisë, kriteret e vlerësimit, fushat e investimit, mund t’i marrin në detaje në uebfaqen e MBPZhR-së: www.mbpzhr-ks.net, dhe të AZhB-së: www.azhb-ks.net, si dhe mund të informohen edhe në Zyrat Rajonale të AZhB-së.