Prishtinë, 16 tetor – Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka marrë vendim për hapjen e sezonit të gjuetisë për periudhën 2025-2026. Sezoni i gjuetisë për lloje të caktuara të kafshëve të egra në tërë territorin e Republikës së Kosovës, do të hapet që nga data 19 tetor e këtij viti dhe gjuetia do të organizohet vetëm ditëve të diela dhe në ditët e festave zyrtare sipas Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.
Bazuar në këtë vendim, gjuetia e kafshëve të egra duhet të bëhet në përputhshmëri të plotë me Ligjin Nr. 02/L-53 për Gjuetinë, me dispozitat e Udhëzimit Administrativ MA – Nr. 11/2007, Për Sezonin e Gjuetisë, si dhe në harmoni me Udhëzimin Administrativ (MEA) Nr. 12/2020 për shpalljen e llojeve të egra të mbrojtura dhe strikt të mbrojtura si dhe duke respektuar kalendarin e gjuetisë për secilin lloj të kafshëve të egra.
Duke u bazuar në vendimin e MBPZhR-së, organizimi i gjuetisë do të bëhet nga menaxherët e vendgjuetive, si dhe nën mbikëqyrjen e organeve përgjegjëse të MBPZhR-së. Ndërkaq aktivitetet e gjuetisë mund t’i kryejnë të gjithë menaxherët e vendgjuetive
dhe të shoqatave të gjuetisë, të cilët i kanë hartuar planet vjetore sipas Ligjit për Gjuetinë dhe duke u bazuar në nenet e caktuara të Udhëzimit Administrativ për Planet Menaxhuese dhe Vjetore të Menaxhimit të Vendgjuetive.
Ndërkaq, këtë vendim obligohet që ta zbatojnë Agjencia Pyjore e Kosovës, Federata e Gjahtarëve të Kosovës, menaxherët e vendgjuetive, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe Drejtoritë Komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural. Sipas legjislacionit në fuqi, ministri me vendim të veçantë do të shpallë mbylljen e sezonit të gjuetisë.