Me afro 60 shtete pjesëmarrëse, të përfaqësuara nga ministra, zëvendësministra, sekretarë shtetërorë dhe liderë kyç global të sektorit të bujqësisë, Republika e Kosovës ishte pjesë e Forumit Global për Ushqim dhe Bujqësi (GFFA), të mbajtur në Berlin të Gjermanisë. Në këtë forum, Kosova u përfaqësua nga ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, i shoqëruar nga delegacioni i MBPZhR-së.
Gjatë këtij Forumi, në kuadër të Grupit Teknik për Zhvillim Rajonal dhe Rural në Evropën Juglindore (SWG), për herë të parë Republika e Kosovës e udhëhoqi takimin e ministrave të bujqësisë të Evropës Juglindore, duke konfirmuar rolin e saj gjithnjë e më aktiv dhe vleror në bashkëpunimin rajonal dhe proceset integruese evropiane.
“Si ministër në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë adresimeve të mia theksova se Republika e Kosovës është e përkushtuar në përmbushjen e kritereve për integrim në Bashkimin Evropian, përmes reformave të vazhdueshme, përafrimit të politikave dhe legjislacionit me standardet e BE-së, si dhe ndërtimit të një sektori bujqësor modern, të qëndrueshëm dhe në përputhje me nevojat e shoqërisë sonë”, tha ministri në detyrë, Imri Demelezi.
Me këtë rast, ai tregoi se për tri ditë intensive, bashkë me delegacionin nga MBPZhR zhvilluan dhjetëra takime bilaterale dhe në margjinat e konferencës me partnerë strategjikë, përfshirë ministrat homologë të Kroacisë, Bullgarisë, Hungarisë, si dhe Bankën Botërore, Organizatën Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO).
“Në fokus ishin investimet në siguri ushqimore, ujitje dhe infrastrukturë, rritja e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, standardet veterinare, mbrojtja nga reshjet atmosferike, digjitalizimi i bujqësisë, resurset njerëzore dhe përafrimi me politikat e Bashkimit Evropian”, theksoi Demelezi.
Ndër tjerash, ministri Demelezi shtoi se edhe njëherë Republika e Kosovës konfirmoi përkushtimin për reforma dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke u dëshmuar si partner i besueshëm rajonal dhe evropian për zhvillim, investime dhe siguri ushqimore.
Republika e Kosovës falënderon shtetet mike, përfshirë Gjermaninë, që përmes GFFA-së mundësojnë vlerësimin pozitiv dhe promovimin e Kosovës përmes dhe gjatë konferencave të tilla.










