Me ftesë të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë, Andis Salla, Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Republikës së Kosovës, Armend Muja, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, me qëllim thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy vendeve.
Në kuadër të kësaj vizite, u nënshkruan dy marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi ndërmjet ministrive përkatëse, të cilat synojnë forcimin e koordinimit institucional, avancimin e politikave të përbashkëta në sektorin agro-ushqimor, si dhe rritjen e standardeve në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitetit.
Marrëveshjet gjithashtu parashikojnë zgjerimin e bashkëpunimit në zhvillimin rural, mbështetjen e fermerëve përmes instrumenteve të politikave bujqësore dhe skemave financiare, si dhe përafrimin e mëtejshëm me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.
Një fokus i rëndësishëm i bashkëpunimit mbetet edhe modernizimi i sektorit përmes digjitalizimit të shërbimeve bujqësore, si dhe forcimi i kapaciteteve në fushën e kërkimit shkencor, inovacionit dhe transferimit të teknologjive bashkëkohore, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe konkurrueshmërisë së sektorit.
Ky bashkëpunim vlerësohet si një hap i rëndësishëm në konsolidimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, rritjen e sigurisë ushqimore dhe përmirësimin e mirëqenies së komuniteteve rurale në të dy vendet tona.
Adresa:
Rr. Ukshin Hoti - Kompleksi 'Ramiz Sadiku',
10000 Prishtinë,
Republika e Kosovës
Kontakti:
038 200 38 868
Email:
mbpzhr@rks-gov.net
Orari i punës:
E hëne - e premte
08:00 - 16:00