Themelimi
Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë është themeluar me Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural nr.04/L-090 për ndryshim plotësimin e Ligjit me nr.03/L-98 si Agjenci Ekzekutive në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Bazuar në ligje dhe në rregullore nr.01/2012 për Detyrat, Përgjegjësitë, Kompetencat dhe Strukturën Organizative, Agjencisë i përcaktohet roli si agjenci ekzekutive, e cila merret me implementimin e programeve për mbështetje në bujqësi dhe zhvillim rural.
Misioni
Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë angazhohet për të implementuar programe mbështetëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural, duke ndjekur procedura të shkruara dhe të standardizuara, të cilat mbështeten në kuadrin IPARD. Ne jemi të përkushtuar për të realizuar masat e mbështetjes nga programi kombëtar, donatorët dhe, së shpejti, edhe nga programi i para-anëtarësimit për Zhvillim Rural.
Agjencia është përgjegjëse për të menaxhuar procedurat e aplikimit, kontrollit administrativ dhe inspektimeve në terren, si dhe për miratimin dhe ekzekutimin e pagesave për përfituesit.
Vizioni
Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë synon të krijojë një lidhje të ngushtë midis fermerëve kosovarë dhe institucioneve kombëtare dhe evropiane, duke kontribuar në forcimin e këtij sektori të rëndësishëm për ekonominë përmes programeve mbështetëse financiare.
AZHB-ja përkushtohet për të ofruar fermerëve akses të lehtë në fondet për zhvillim në bujqësi dhe zhvillim rural, përmes procedurave të qarta dhe transparente. Agjencia operon nën Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) dhe është agjenci kryesore për zbatimin e programeve të Pagesave Direkte dhe Zhvillimit Rural.