Prishtinë, 16 shkurt 2026 – Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është zhvilluar ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës, ku ministri në detyrë, Imri Demelezi, i ka dorëzuar zyrtarisht detyrën ministrit të ri, Armend Muja.
Gjatë ceremonisë, ministri në detyrë Demelezi e njoftoi ministrin Muja për zhvillimet kryesore në sektorin e bujqësisë, reformat e ndërmarra, si dhe projektet dhe programet mbështetëse të realizuara gjatë mandatit katërvjeçar, me theks të veçantë në rritjen e subvencioneve, investimet në infrastrukturën rurale dhe mbështetjen për fermerët dhe agro-përpunuesit.
Ministri i ri, Armend Muja, falënderoi ministrin Demelezi për kontributin dhe angazhimin e deritanishëm, duke vlerësuar punën e bërë në funksion të zhvillimit të sektorit bujqësor.
“E falënderoj ministrin Demelezi për punën dhe përkushtimin e tij. Do të angazhohem maksimalisht që politikat bujqësore dhe zhvillimore të avancojnë edhe më tej, duke fuqizuar sektorin e bujqësisë. Prioritet i yni do të jetë mbështetja e qëndrueshme për prodhimin vendor, modernizimi i sektorit dhe zhvillimi i projekteve konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e zonave rurale”, theksoi ministri Muja.
Ceremonia e dorëzim-pranimit u zhvillua në prani të Sekretares së Përgjithshme të MBPZhR-së, Venera Çerkini, si dhe stafit të kabinetit.
Adresa:
Rr. Ukshin Hoti - Kompleksi 'Ramiz Sadiku',
10000 Prishtinë,
Republika e Kosovës
Kontakti:
038 200 38 868
Email:
mbpzhr@rks-gov.net
Orari i punës:
E hëne - e premte
08:00 - 16:00