Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me zëvendësministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi kanë marrë pjesë në Konferencën e 10-të të Mjedrës në Kosovë, e cila është organizuar nga Shoqata “Mjedra e Kosovës”.
Duke e quajtur këtë si një vit jubilar e të merituar që përmbledh një dekadë pune, durimi dhe inovacioni, kryeministri Kurti tha se këtë vit kanë mbi 350 pjesëmarrës fermerë, institucione, partnerë e kompani eksportuese dhe kjo sallë tregon qartë se frutat e imëta nuk janë kulturë e vogël, por një sektor i madh me ambicie, ndikim dhe shifra.
Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se Kosova është një histori suksesi, që po forcohet nga viti në vit, një vend më i sigurt në Evropë, me institucione që profesionalizohen, me sundim të ligjit në rritje dhe me financa publike të shëndosha dhe kjo performancë nuk është rastësi, është rezultat i reformave të qëndrueshme, bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe përfshirje reale të të gjitha komuniteteve.
“Sot, Kosova shfaqet si partner i besueshëm euroatlantik, i përafruar me politikat e aleatëve, me rritje ekonomike solide, bankë qendrore moderne, sistem financiar të kapitalizuar mirë dhe me paqe e siguri, e cila është përmbajtësore”, tha kryeministri, duke shtuar se kjo klimë stabiliteti, transparence dhe parashikueshmërie, është arsyeja pse sektori i frutave të imëta, mjedra, dredhëza e boronica, po gjen tregje të reja, çmime më të qëndrueshme dhe kontrata afatgjata, duke e kthyer suksesin demokratik e ekonomik të vendit, në të ardhura të prekshme për familjet tona rurale”, tha kryeministri Kurti. Më tej, ai theksoi se është ngritur një zinxhir i plotë për frutat e imëta: nga pemishtet te qendrat grumbulluese, përpunues e eksportues gjithandej, të cilët e kanë shndërruar bashkëpunimin në avantazhin tonë më të madh konkurrues.
Ndërkaq, në fjalën e tij, Zëvendësministri Demelezi theksoi se mjedra është bërë një histori suksesi që ka transformuar sektorin agro-ushqimor të Kosovës, duke sjellë mundësi të mëdha për fermerët e vegjël dhe inovacionin në bujqësi.
“Mjedra, edhe pse një kulturë relativisht e re në Kosovë, është shndërruar në histori suksesi përmes inovacionit, standardeve të avancuara të sigurisë ushqimore dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet fermerëve, institucioneve dhe partnerëve zhvillimorë. Ai falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme donatorët ndërkombëtarë si CARITAS, ADA, GIZ, CARE dhe USAID, të cilët kanë kontribuar në kultivarë të rinj, projekte zhvillimore dhe ngritje të kapaciteteve profesionale në sektor”, tha zëvendësministri Demelezi.
Ai paralajmëroi se në janar do të nisin diskutimet për organizimin e Javës së Konferencave në Bujqësi, një iniciativë që do ta poziciononte Kosovën si vendin e parë në rajon me një platformë të tillë gjithëpërfshirëse profesionale.
Duke prezantuar rezultatet konkrete të dekadës së fundit në sektorin e mjedrës, Demelezi theksoi se janë mbi 1,000 hektarë të mbjellë me mjedër, më shumë se 10 milionë euro eksporte vjetore, si dhe 339,831.39 euro subvencione për vitin e kaluar, rreth 200 mijë euro më shumë se në vitin 2023.


