Përkrahja, mbrojtja, këshillimi i fermerëve dhe përpunuesve janë thelbësore për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Ministri në detyrë i BPZhR-së, Imri Demelezi ka theksuar se është vitale siguria e inputeve bujqësore, sepse nga kjo varet siguria shëndetësore e fermerit nga aplikimi deri te e drejta e eksportit të produktit të prodhuar apo përpunuar. Andaj, ai thekson se duhet forcuar e siguruar që nga baza fillestare dhe zero negocim për cilësinë siç është përcaktuar me ligjet tona.
“Garantimi i standardeve në bujqësi dhe mbrojtja e shëndetit të konsumatorit, krahas konkurencës lojale, janë themelet mbi të cilat funksionojnë politikat tona zhvillimore. Siguria ushqimore dhe mbrojtja e shëndetit publik janë përgjegjësi themelore e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, ka thënë ministri Demelezi, duke shtuar se në këtë frymë, MBPZhR, në koordinim të ngushtë me MMPHI-në dhe MINT-in, ka ndërmarrë një aksion të gjerë inspektimi mbi menaxhimin e produkteve kimike, me fokus të veçantë te pesticidet dhe biocidet.
Gjatë këtij procesi janë identifikuar parregullësi serioze në mënyrën se si disa produkte janë futur në treg. Konkretisht, është vërejtur keqpërdorim i sistemit të regjistrimit, ku pesticidet janë deklaruar si biocide, përfshirë edhe substanca që bien ndesh me standardet dhe direktivat ndërkombëtare e ato të BE-së.
Deri më tani janë konfiskuar, bllombuar rreth 15 ton materie të dyshimta, si të palejueshme apo që dyshohet se kanë hyrë në kundërshtim me ligjin.
“Për këtë arsye, kemi ndërmarrë këto masa: është konfiskuar një sasi e konsiderueshme kimikatesh, duke pamundësuar daljen e tyre në treg, janë ndaluar menjëherë këto substanca dhe ka filluar auditimi i më shumë se 100 lëndëve, janë shfuqizuar lejet e importit që ishin në kundërshtim me ligjin, është rritur numri i inspektimeve dhe koordinimi ndërinstitucional”, tha ministri Demelezi
Si MBPZhR dhe Qeveri e Republikës së Kosovës, ai ka theksuar se nuk pranojnë asnjë kompromis kur cenohet shëndeti i qytetarëve, siguria ushqimore dhe integriteti i prodhimeve të fermerëve tanë. Çdo operator dhe individ që shkel ligjin do të përballet me drejtësinë.
Me këtë rast, ministri Demelezi tha se i ftojnë institucionet e rendit që t’i trajtojnë këto raste me prioritet të lartë. Gjithashtu, ai bëri thirrje njohësve të fushës, personave tjerë të përfshirë e ndikuar të jenë bashkëpunues dhe të vendosin në pah parregullsitë te organet relevante që misioni i përbashkët për barabarësi, shtet të së drejtës dhe zhvillimor të mos ketë alternativë.
Ministri Demelezi ka theksuar se angazhimi i tyre mbetet i palëkundur: fermerë të mbrojtur, prodhime të sigurta, të sigurta për treg dhe eksport, ushqim I sigurt për ngrënie, tokë e pastër dhe një bujqësi që garanton shëndet për të gjithë!