Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, sot ka nënshkruar vendimin për racionalizimin e hapësirave administrative në kuadër të ministrisë.
Me rastin e nënshkrimit të këtij vendimi, ministri Muja theksoi se po hapin rrugën për zhvendosjen e Ministrisë dhe institucioneve vartëse në objekte publike, duke shfrytëzuar pronën shtetërore dhe duke i dhënë fund kostove të panevojshme të qirasë.
Ministri Muja potencoi rëndësinë e këtij hapi për rritjen e efikasitetit institucional dhe përmirësimin e shërbimeve për fermerët.
“Po ashtu, po krijojmë Qendra të Integruara për Shërbime Bujqësore, që do të ofrojnë shërbime më të organizuara, më të shpejta dhe më afër fermerit. Po ashtu, rezultati i gjithë kësaj është rreth 1 milion euro kursime në vit. Këto kursime do të kthehen menjëherë në investime konkrete”, tha ministri Muja.
Duke u ndërlidhur me këtë, ai bëri të ditur se mjetet e kursyera do të orientohen drejt mbështetjes së prodhimit vendor dhe fermerëve, investimeve në mekanizim dhe teknologji bujqësore, zgjerimit të sistemeve të ujitjes dhe rritjes së produktivitetit, si dhe përkrahjes për të rinjtë dhe gratë në bujqësi.
Në përmbyllje, ministri theksoi se përmes këtyre hapave po ndërtohet një administratë, e cila kursen aty ku është e nevojshme dhe investon aty ku ndikimi për qytetarët është më i madh.
Adresa:
Rr. Ukshin Hoti - Kompleksi 'Ramiz Sadiku',
10000 Prishtinë,
Republika e Kosovës
Kontakti:
038 200 38 868
Email:
mbpzhr@rks-gov.net
Orari i punës:
E hëne - e premte
08:00 - 16:00