Prishtinë, 12 Mars 2026 – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Misionit të Bankës Botërore për Kosovën, të përfaqësuar nga Menaxherja e Vendit të BB-së për Kosovë, Carole Megevand, si dhe përfaqësuesit e Projektit për Përmirësimin dhe Rehabilitimin e Sistemeve të Ujitjes (IRIS), me të cilët ka diskutuar për progresin dhe rezultatet e arritura të këtij projekti.
Gjatë këtij takimi është prezantuar progresi i përgjithshëm i projektit IRIS, i cili financohet nga Bashkimi Evropian, ndërkaq monitorohet nga Banka Botërore dhe implementohet nga MBPZhR-ja, përmes Njësisë së Zbatimit të Projektit (PIU).
Me këtë rast, Ministri Muja ka theksuar rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe për rritjen e efikasitetit të përdorimit të ujit në Kosovë, duke vlerësuar bashkëpunimin me Bankën Botërore dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ai gjithashtu shprehu interesimin për vazhdimin e bashkëpunimit në projekte të tjera që synojnë zhvillimin dhe zgjerimin e infrastrukturës së ujitjes, në funksion të rritjes së produktivitetit bujqësor dhe mbështetjes së fermerëve në vend.
Në takim, po ashtu u theksua se projekti aktualisht ndodhet në fazën përfundimtare të implementimit dhe përfaqëson një nga investimet më të rëndësishme në rehabilitimin dhe modernizimin e infrastrukturës së ujitjes në Kosovë. Përfitues kryesor i investimeve është Kompania Rajonale e Ujitjes “Radoniqi–Dukagjini”, përmes së cilës janë realizuar ndërhyrje të rëndësishme në sistemin e ujitjes.
Në fund të këtij takimi, janë prezantuar edhe rezultatet e komponentit për ndërtimin e kapaciteteve, ku janë realizuar trajnime për qindra fermerë, ofrues të ujitjes dhe përfaqësues institucionalë. Po ashtu, janë organizuar vizita studimore dhe aktivitete edukative për përdorimin më efikas të ujit dhe rritjen e produktivitetit bujqësor.
Adresa:
Rr. Ukshin Hoti - Kompleksi 'Ramiz Sadiku',
10000 Prishtinë,
Republika e Kosovës
Kontakti:
038 200 38 868
Email:
mbpzhr@rks-gov.net
Orari i punës:
E hëne - e premte
08:00 - 16:00