Krushë e Madhe, 03 prill 2026 – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Republikës së Kosovës, Armend Muja, së bashku me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë, Andis Salla, zhvilluan një vizitë në Krushë të Madhe, ku u pritën nga znj. Fahrije Hoti.
Gjatë vizitës, Ministri Muja e njoftoi Ministrin Salla me historikun e znj. Hoti, e cila është njëra nga rreth 200 gratë e kësaj zone që kanë humbur bashkëshortët dhe fëmijët gjatë luftës së fundit në Kosovë. U theksua roli i saj dhe i grave të Krushës së Madhe si shembull i qëndrueshmërisë, dinjitetit dhe angazhimit për rindërtimin e jetës dhe zhvillimin ekonomik të komunitetit.
Ministri Armend Muja shprehu përkushtimin institucional për të mbështetur znj. Hoti dhe gratë e kësaj zone në zhvillimin e mëtejshëm të aktiviteteve në bujqësi dhe përpunim ushqimor, duke theksuar rëndësinë e fuqizimit ekonomik të grave në zonat rurale.
“Krushë e Madhe dhe zonja Hoti janë shembull i jashtëzakonshëm i forcës dhe ringritjes. Ne do të vazhdojmë të jemi partnerë konkretë në mbështetjen e iniciativave që gjenerojnë zhvillim dhe qëndrueshmëri për këto gra,” u shpreh ai.
Ministri Andis Salla theksoi dimensionin kombëtar të kësaj vizite dhe angazhimin e Shqipërisë për bashkëpunim të vazhdueshëm:
“Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë dhe do të thellojë bashkëpunimin me gratë e Kosovës që janë pjesë e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Ajo që kemi parë sot në Krushë të Madhe është një shembull frymëzues që meriton mbështetje të vazhdueshme””, tha ministri Salla.
Në anën tjetër, znj. Fahrije Hoti vlerësoi lart këtë vizitë, duke falënderuar për mbështetjen dhe vëmendjen e treguar.
“E vlerësoj shumë këtë vizitë dhe ju falënderoj, veçanërisht Ministrin Muja, që ka përzgjedhur Krushën e Madhe për të sjellë Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë. Kjo për ne ka një domethënie të veçantë dhe na jep forcë për të vazhduar përpara”, tha ajo.
Vizita riafirmon rëndësinë e mbështetjes institucionale dhe bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke vendosur në qendër zhvillimin rural dhe fuqizimin e grave si shtyllë e qëndrueshmërisë ekonomike dhe sociale.








