Prishtinë, 03 shtator 2025 – Task Forca për Mbrojtjen e Tokës Bujqësore nga Ndërtimet e Paplanifikuara Urbane dhe Degradimin e saj ka mbajtur sot takimin e radhës, i cili është kryesuar nga Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Venera Çerkini e ku është diskutuar finalizimi i Draft Planit të Veprimit të kësaj Task Force.
Gjatë këtij takimi, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues të institucioneve relevante, u diskutua mbi sfidat dhe masat që duhet ndërmerren për ruajtjen e tokës bujqësore, si dhe kanë vazhduar koordinimin e aktiviteteve dhe harmonizimin e politikave sektoriale me qëllim të mbrojtjes se tokës bujqësorë nga urbanizmi i pa planifikuar dhe degradimi i saj.
Me këtë rast, kryesuesja e këtij takimi, Sekretarja e MBPZhR-së, Venera Çerkini, ka treguar për rëndësinë që ka krijimi i një mekanizmi të përbashkët për monitorimin dhe raportimin e rasteve të degradimit, si dhe përmirësimi i bazës së të dhënave mbi gjendjen aktuale të tokës bujqësore.
“Toka bujqësore si resurs natyror i kufizor , i parinovueshem dhe e mirë me interes të përgjithshëm për Republikën e Kosovës, ka mbrojtje të veçantë dhe duhet të bëhet përmirësimi i potencialit prodhues të saj dhe të shfrytëzohet për prodhimtari bujqësore, duke u bazuar në parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, për të siguruar prosperitet ekonomik të vendit. E gjatë këtij takimi ne diskutuam për finalizimin e Draft Planit të Veprimit të kësaj Task Force për Mbrojtjen e Tokës Bujqësore nga Ndërtimet e Paplanifikuara Urbane dhe Degradimin e saj”, ka thënë Sekretarja Çerkini.
Me këtë rast, ajo tregoi se në fund të këtij takimi janë pajtuar që të hartohet një plan i përbashkët veprimi ndërinstitucional, i cili do të adresojë masat afatshkurtra dhe afatgjata për mbrojtjen e tokës bujqësore.
Ndryshe, Task Forca për Mbrojtjen e Tokës Bujqësore nga Ndërtimet e Paplanifikuara Urbane dhe Degradimin e saj u formua me vendim qeveritar në korrik të vitit 2021, me iniciativë të Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Kjo Task Forcë përbëhet prej shtatë institucioneve: MBPZhR-ja, që është koordinatore, Zyra e Kryeministrit, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, si dhe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Adresa:
Rr. Ukshin Hoti - Kompleksi 'Ramiz Sadiku',
1000 Prishtinë,
Republika e Kosovës
Kontakti:
038 200 38 868
Email:
mbpzhr@rks-gov.net
Orari i punës:
E hëne - e premte
08:00 - 16:00