Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, ka marrë pjesë në Konferencën e Parë Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Bimëve në Kosovë, e organizuar nga Fondacioni AgroDev dhe AgroPortali, një ngjarje e rëndësishme shkencore dhe profesionale që shënon një hap të madh drejt forcimit të sistemit fitosanitar dhe modernizimit të sektorit bujqësor në vend.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, zëvendësministri Demelezi theksoi se mbrojtja e bimëve është themeli i sigurisë ushqimore dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke vënë në pah sfidat që sjellin ndryshimet klimatike, rritja e tregtisë globale dhe paraqitja e organizmave të rinj karantinas. Ai nënvizoi nevojën për reagim të koordinuar dhe të bazuar në shkencë, teknologji bashkëkohore dhe bashkëpunim ndërinstitucional.
“MBPZhR mbetet e përkushtuar në avancimin e kësaj fushe përmes harmonizimit të legjislacionit me standardet e BE-së, modernizimit të laboratorëve fitosanitarë, trajnimit të inspektorëve dhe ekspertëve, zgjerimit të monitorimit të organizmave karantinas, si dhe digjitalizimit të sistemeve të kontrollit dhe certifikimit”, ka deklaruar zëvendësministri Demelezi. Ai shtoi se modernizimi i këtyre proceseve u mundëson fermerëve dhe prodhuesve qasje në informacione të sakta dhe në kohë reale, duke lehtësuar menaxhim më efikas, reduktim të kostove dhe rritje të konkurrueshmërisë së prodhimeve vendore.
Në vazhdim, zëvendësministri vlerësoi lartë kontributin e komunitetit akademik dhe shkencor, duke përmendur të ndjerët Prof. Dr. Latif Susuri dhe Prof. Dr. Agim Zajmi për kontributin e tyre të çmuar në zhvillimin e fushës së mbrojtjes së bimëve, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me ekspertë të tjerë të kësaj fushe.
“Bashkëpunimi me komunitetin shkencor, sektorin privat dhe partnerët ndërkombëtarë është thelbësor për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm dhe efikas të shëndetit të bimëve,” u shpreh zëvendësministri.
Në fund të fjalës së tij, ai falënderoi të gjithë profesorët, ekspertët dhe pjesëmarrësit që përmes dijes dhe përvojës së tyre kontribuojnë në zhvillimin e sektorit bujqësor në vend.


