



Prishtinë, 15 tetor 2024 – Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi ka marrë pjesë në Panairin e Grave të Zonave Rurale, që është mbajtur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, për nder të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas Rurale.
Në hapjen e këtij panairi, në të cilin gratë nga zonat rurale do të promovojnë produktet e tyre bujqësore, Zëvendësministri Demelezi theksoi se mbështetja institucionale për gratë fermere ka ndikuar në zhvillimin dhe avancimin e veprimtarive të tyre bujqësore e blegtorale.
“Veprimtaritë bujqësore viteve të fundit janë bërë mjaft atraktive edhe për gratë në Kosovë. Nga viti në vit është rritur edhe interesimi i tyre për t’u marrë me këto veprimtari e bashkë me këtë kemi rritur edhe përkrahjen përmes programeve mbështetëse të MBPZhR-së. Vetëm në vitin 2023, MBPZhR-ja për gratë fermere ka ndarë rreth 15.2 milionë euro, në kuadër të Programit të Subvencioneve dhe Programit të Zhvillimit Rural/Granteve”, ka theksuar Zëvendësministri Demelezi.
Ndryshe, ky panair i grave fermere është pjesë e projektit “Fuqizimi i grave dhe komuniteteve që jetojnë në zonat rurale të Kosovës”, i cili mbështetet nga We Effect, projektit SUNREED nga CNVP që financohet nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim (Sida).