Podujevë, 11 korrik 2026 – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja së bashku me kryeministrin Albin Kurti, vizituan sot arat me grurë në komunën e Podujevës, në kuadër të fushatës së korrje-shirjeve, e cila tashmë ka nisur në gjithë vendin.
Gjatë vizitës, ministri Muja u njoh nga afër me gjendjen e kulturës së grurit dhe zhvilloi takime me fermerët, të cilët u shprehën të kënaqur me prodhimin e sivjetmë dhe cilësinë e grurit. Kushtet e favorshme gjatë sezonit dhe puna e vazhdueshme në ara kanë ndikuar që rendimentet të jenë ndër më të lartat e viteve të fundit.
Bazuar në vlerësimet paraprake, rendimenti mesatar i grurit pritet të arrijë nga 4 deri në 5 tonë për hektarë, ndërsa në disa rajone prodhimi e tejkalon edhe këtë mesatare. Po ashtu, cilësia e grurit sivjet vlerësohet shumë e mirë, me peshë hektolitrike të lartë dhe parametra që plotësojnë standardet për prodhimin e miellit.
Me këtë rast, ministri Muja theksoi se fushata e korrje-shirjeve shënon një nga periudhat më të rëndësishme për sektorin bujqësor dhe për sigurinë bujqësore të vendit. Vlerësimet nga terreni, shtoi ai, janë shumë inkurajuese.
“Sivjet presim një prodhim të mirë të grurit, si në aspektin sasior ashtu edhe në atë cilësor. Kjo është rezultat i angazhimit të fermerëve tanë, kushteve të favorshme klimatike dhe mbështetjes së vazhdueshme për sektorin e bujqësisë, e cila ka arritur në mbi 30 milionë euro për kulturën e grurit”, tha Ministri Muja, duke i përgëzuar fermerët dhe duke i uruar që fushata e korrje-shirjeve të zhvillohet sa më suksesshëm.
Fushata e korrje-shirjeve për mbledhjen e çdo kokrre të grurit tashmë po zhvillohet në të gjitha rajonet prodhuese të vendit që përfshijnë rreth 80 mijë hektarë, teksa pritjet janë që prodhimi i sivjetmë të kontribuojë ndjeshëm në furnizimin i tregut tonë me grurë vendor me cilësi të lartë.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural mbetet e përkushtuar të vazhdojë mbështetjen për fermerët përmes subvencioneve, granteve dhe investimeve në modernizimin e bujqësisë, me synim rritjen e prodhimit vendor, përmirësimin e konkurrueshmërisë së sektorit dhe forcimin e sigurisë ushqimore të vendit. Investimi në bujqësi është investim në zhvillimin ekonomik, në mirëqenien e familjeve fermere dhe në një të ardhme më të begatshme për Republikën e Kosovës.








