Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB), njofton fermerët se për Pagesat Direkte 2026 janë pranuar gjithsej 33,460 aplikime. Shqyrtimi administrativ i aplikimeve dhe kontrollet në terren për sipërfaqet bujqësore kanë përfunduar.
Gjatë kësaj jave do të fillojë lëshimi i vendimeve dhe realizimi i pagesave për sipërfaqet bujqësore, paralelisht me publikimin e listave të përfituesve. Më pas do të vazhdohet me pagesat për skemat e tjera të mbështetjes. Fermerët që kanë kultivuar grurë do të mbështeten për sipërfaqet e mbjella, plehun artificial dhe shpenzimet e naftës, sipas normave dhe shumave të mbështetjes të viteve të mëparshme.
Mbështetja për grurin për kilogram (gruri/kg) është skemë e veçantë, që vlen vetëm për fermerët që kanë dorëzuar grurin në mullinj dhe nuk ndikon në pagesat për sipërfaqet bujqësore. Për aplikimet e vitit 2026 zbatohet pragu minimal i rendimentit prej 3,225 kg/ha, sipas Udhëzimit Administrativ nr. 02/2026.
Vendimi i Ministrit për përcaktimin e rendimentit mesatar kombëtar është detyrim ligjor që rrjedh nga Udhëzimi Administrativ dhe bazohet në të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). Ky vendim ndërlidhet me përgatitjen e Programit të Pagesave Direkte për vitin 2027 dhe nuk ndikon në aplikimet e pranuara për vitin 2026.
Adresa:
Rr. Ukshin Hoti - Kompleksi 'Ramiz Sadiku',
10000 Prishtinë,
Republika e Kosovës
Kontakti:
038 200 38 868
Email:
mbpzhr@rks-gov.net
Orari i punës:
E hëne - e premte
08:00 - 16:00