Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, dhe Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, kanë nënshkruar dje Memorandumin e Mirëkuptimit, duke vendosur themelet e një bashkëpunimi strategjik afatgjatë ndërmjet dy institucioneve në funksion të zhvillimit të bujqësisë, pylltarisë, zhvillimit rural dhe sigurisë ushqimore.
Memorandumi krijon një kornizë të qëndrueshme bashkëpunimi për hartimin e politikave publike të bazuara në dëshmi shkencore, zhvillimin e kërkimit të aplikuar, inovacionit dhe transferimit të njohurive drejt sektorit bujqësor, përgatitjen e studimeve dhe analizave sektoriale, si dhe mbështetjen e procesit të përafrimit të sektorit të bujqësisë me standardet dhe politikat e Bashkimit Evropian.
Me këtë rast, Ministri Armend Muja theksoi se memorandumi shënon një hap të rëndësishëm në institucionalizimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve kyçe të Republikës së Kosovës.
“Menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit do të hartojmë një plan konkret veprimi, në mënyrë që ky bashkëpunim të jetë i matshëm dhe të prodhojë rezultate të prekshme. Universiteti i Prishtinës përfaqëson potencialin më të madh akademik dhe shkencor në vend, ndërsa Ministria e Bujqësisë ka kapacitetet institucionale për ta shndërruar këtë ekspertizë në politika dhe projekte konkrete. Duke bashkuar dijen shkencore me politikëbërjen, do të ndërtojmë një sektor bujqësor më konkurrues, më inovativ dhe më të qëndrueshëm,” tha Ministri Muja.
Bashkëpunimi do të përfshijë zhvillimin e politikave bujqësore të bazuara në dëshmi shkencore, analizat e tregut, vlerësimin e ndikimit ekonomik të politikave publike, kërkimin e aplikuar, inovacionin, bujqësinë digjitale dhe zhvillimin e teknologjive moderne për rritjen e produktivitetit, konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së sektorit bujqësor.
Një komponent i rëndësishëm i Memorandumit është përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike dhe menaxhimi i rrezikut në bujqësi. Palët do të bashkëpunojnë në zhvillimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm për thatësirën, ngricat, breshërin dhe fenomenet e tjera ekstreme klimatike, hartëzimin e rreziqeve bujqësore, zhvillimin e modeleve për sigurimet bujqësore dhe instrumenteve të tjera të menaxhimit të rrezikut, si dhe vlerësimin shkencor të masave të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike. Bashkëpunimi do të mbështesë gjithashtu përdorimin e sistemeve të informacionit gjeografik (GIS), teledetektimit, të dhënave satelitore dhe inteligjencës artificiale për monitorimin e kulturave bujqësore, parashikimin e rreziqeve dhe mbështetjen e vendimmarrjes.
Në fushën e sigurisë ushqimore dhe shkencave veterinare, Universiteti do të ofrojë mbështetje shkencore për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), përmes validimit dhe zhvillimit të metodave analitike laboratorike, kërkimeve mbi autenticitetin dhe cilësinë e ushqimit dhe përgatitjes së opinioneve shkencore për çështje me rëndësi për sigurinë ushqimore, shëndetin e kafshëve dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Në perspektivë afatgjatë, ky bashkëpunim synon të vendosë themelet e Sistemit Kombëtar të Njohurive dhe Inovacionit në Bujqësi (Agricultural Knowledge and Innovation System – AKIS), duke krijuar një ekosistem të integruar që lidh Ministrinë e Bujqësisë, Universitetin e Prishtinës, Institutin Bujqësor të Kosovës, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, shërbimet këshillimore, komunat, organizatat e prodhuesve, sektorin privat dhe institucionet kërkimore. Qëllimi është që kërkimi shkencor, inovacioni, transferimi i teknologjisë dhe politikëbërja të funksionojnë si një sistem i bashkërenduar në mbështetje të fermerëve, konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor dhe zhvillimit të qëndrueshëm rural. Memorandumi parasheh gjithashtu fuqizimin e shërbimeve këshilluese përmes laboratorëve dhe projekteve të përbashkëta kërkimore, fermave demonstrative, transferimit të teknologjisë, praktikave profesionale për studentët, programeve të zhvillimit profesional, si dhe zhvillimit të platformave digjitale për monitorimin dhe menaxhimin e prodhimit bujqësor.
Memorandumi, i cili do të zbatohet për një periudhë pesëvjeçare, shënon fillimin e një partneriteti strategjik ndërmjet qeverisë dhe akademisë, me synim që shkenca, inovacioni dhe ekspertiza profesionale të vendosen në qendër të transformimit të bujqësisë dhe zhvillimit rural në Republikën e Kosovës.
Related Posts
Lajmet
24 Korrik, 2026



